Tuesday, June 22, 2010

Meritokracia

Një plak kishte dërguar dy qe për t' i shitur në treg.

I afrohet një blerës dhe e pyet për veset e tyre. Plaku i thotë: Ky i trashi është i fortë, mund të lërojë shumë, por nuk i pëlqen aspak puna. Ky i holli, i dobëti, ka shumë dëshirë, por nuk mundet, nuk ka fuqi fare. Në rastin e parë përtacia kronike, në të dytin, ambicia e madhe dhe pamundësia e madhe. Vetëm dëshirë. Asgjë më shumë. Duket se në skenën politike shqiptare kemi demin e hollë.

Çudia mirëpo është se politikanëve shqiptarë qetë u pjellin viça... Në shtypin perëndimor nuk ka lajme të mira, me përjashtim të ndonjë libri të përkthyer, ndonjë sportisti apo këngëtari. Para disa viteve mbushte faqet e gazetave kriminaliteti shqiptar jashtë. Viteve të fundit mbushin faqet qeveritë tona; me korrupsion, me vjedhjen e buxhetit dhe moskryerjen e detyrave, që u cakton BE për pezullimin e vizave, respektivisht për integrim.

Më shumë lajme të dëmshme prodhojnë Shqipëria dhe Kosova se sa krejt vendet e Europës veriperëndimore apo Kina. Imazhi shqiptar tani dëmtohet edhe nga Qeveritë shqiptare.

Te "qetë" tona nuk është vetëm problemi i pafuqisë, por edhe i paaftësisë brengosëse, mosdijes, me një gravurë diletantizmi dhe përkulje të pashoqe në Ballkan. Këto dukuri kanë nxjerrë opozitën nga Kuvendi në Shqipëri.

Këto dukuri bënë të domosdoshme daljen e Albin Kurtit në skenë. Këto dukuri po nxjerrin në mal shqiptarë të armatosur në Maqedoni.


Meritokracia është në falimentim e sipër.

Situata e re kërkon personazhe të tjera, vizionarë të tjerë, sepse në politikë mosdija e Qeverisë krijon hapësirë, mundësi dhe domosdoshmëri për liderë të rinj, që dinë të ndërtojnë rend demokratik dhe të drejtë.

Nuk është koha e komunizmit dhe qëndrimeve statike, por e rrotullimeve, dinamizmit, lëvizjeve permanente të vlerave, botëkuptimeve, gjykimeve dhe bindjeve të reja, që e bëjnë të pamundur dhe të padurueshme mbijetesën e matrapazit politik.


Shqipëria

Në Shqipëri Sali Berisha e ka shpallur veten tribun. Meritat i ka sekuestruar, ashtu si Enveri dikur. Bërtet dhe çirret thua se nuk ka qenë kurrë stalinist. Shan opozitën, ashtu si i shante Partia e Punës revizionistët. I kanoset opozitës, ashtu si kërcënonte Enveri mikroborgjezët.

Mendon, gjykon dhe flet si "baza" e dikurshme dhe përdor të gjitha makinacionet, të gjitha mekanizmat në dispozicion për ta ngulfatur demokracinë.

Krejt kjo, me një qëllim: Shpërkoqjen e popullit dhe zaptimin e pushtetit. Kryeministri shqiptar në Perëndim paraqitet si qengj, kur kthehet brenda bëhet ujk.

Për të fituar simpatinë e Kosovës, autostradën, që i kushtoi më shumë se në RFGJ e pagëzoi "Rruga e Kombit".
Thua se komb ka vetëm drejt Kosovës, e jo edhe drejt Greqisë, drejt Malit të Zi dhe drejt Maqedonisë.

Akoma pa mbaruar festa dhe mburrja me Kryeministrin në Kosovë, u dhuroi serbeve të Kosovës 400.000 €. Shkrimtarët e rinj shqiptarë nuk kanë mjete për t'i publikuar veprat e veta.

Me ato lekë, kulturës shqiptare do t'u kishin shtuar së paku 400.000 kopje të librave për brezat e ardhshme. Ato para kanë përfunduar te serbet, që luftojnë sovranitetin e Kosovës.


Serbia pranë kufirit me Kosovën, në jug, ku jetojnë shqiptarët, ka ndërtuar kazermën më të madhe në Serbi.

Serbet shpresojnë se një ditë në SHBA arrin një proserb, ndryshon politika e tyre dhe ata për dy orë arrijnë në Prishtinë. Shqiptarët jetojnë me iluzione. Serbet përgatiten.


Shtetet kanë fatin e njerëzve, lindin dhe vdesin!
Ashtu si edhe miqësitë në mes popujve. Serbia e di këtë dhe përgatit varrin e nesërm për Kosovën, akoma pa i zhvarrosur shqiptarët e djeshëm nëpër Serbi...


Kosova

Kryeministri Thaçi pranon gabimet dhe betohet se do të punojë më mirë. Po pse deri tash nuk u punua mirë? Nuk dihet, mirëpo ata janë paguar edhe për punën e keqe.

Për punë të keqe paguheshin komunistët, në demokraci për punë të keqe rrëzohen Qeveritë. Në Europë ku dëshiron integrimin, nuk mund të merret me mend një ministër nën hetime dhe të mbetet në pozitë gjatë procedimit penal. Së paku, jo gjatë hetimeve, sepse në demokraci nuk ka hetime pa prova.

A thua nuk mendon kjo Qeveri se ajo po i jep mjaftë material Serbisë për ta luftuar njohjen?
Si mund të jetë funksionale ajo Qeveri e të ndikojë në pranime të reja, të vejë kontakte me qeveri në botë, të ftojë investues, kur ajo ka ministri nën hetime apo në vende kyçe njerëz pa veti morale, pa përgatitje të mirë profesionale?

A thua mendon kjo Qeveri se çka flet Serbia për demokracinë e suksesshme kosovare? A nuk sheh kjo Qeveri se e mbushi me argumente Jeremiçin kundër pavarësisë?

A thua mendon kjo Qeveri se bota nuk sheh çka po ndodh te ne? A thua bleu kjo elitë rehati dhe pozita me sakrifikimin e flamurit, himnit dhe identitetin shqiptar të Kosovës? Pse u denacionalizua elita politike në Kosovë?

Pse u denacionalizua Kosova?
Pse Kosova gënjen veten, ndërton ardhmëri mbi gënjeshtra dhe shpall veten shtet multietnik me pesë për qind pakica?
Pse iu nënshtrua këtij urdhri antidemokratik?

Pse nuk janë vende multietnike Maqedonia dhe Serbia, për shembull?

A domethënë se sakrifikimi i flamurit, me të cilin u luftua, himni, emblema në Prizren dhe gegërishtja në televizor, janë shenja dëftuese se elita, që luftoi për ta bashkuar vendin, ka marrë urdhër apo vendim ta kultivojë dhe ndërtojë kombin kosovar, deri sa identiteti serb në Bosnjë e Kosovë financohet, mbrohet e kultivohet? Kjo neglizhencë, ky menefregizëm politik, nuk mund të arsyetohet. Radhën e ka Albin Kurti.

Elita e viteve '90-të po shfronëson veten. Albin Kurti është institucion, që nuk mund të manipulohet, nuk mund t' i bëhet presion, nuk mund të korruptohet! Të tjerët duket se kanë përfunduar misionin e tyre. Radhën e kanë ata që nuk lejojnë t'u imponohen ndjenja inferioriteti.


Maqedonia

Marrëveshja e Ohrit u harrua, nuk zbatohet. Në Maqedoni nuk dihet akoma sa shqiptarë janë e sa maqedonas. Shumica duhet të jenë shqiptarë, rreth 35 e ca maqedonas, pastaj bullgarë e pakica tjera.

Ne, mirëpo, nuk dimë numrin tonë të saktë, edhe pse jemi në Kuvend, por dihet se në Maqedoninë Lindore qytetet janë të vogla dhe nuk ka aq banorë sa në atë perëndimore, ku jetojnë shqiptarët. Mirëpo, edhe këtu kemi meritokraci, që ka blerë pozitat me kompromis në kurriz të popullit. Belgjika është në ndarje e sipër pas zgjedhjeve të fundit.

Shqiptarët edhe pse të diskriminuar në Maqedoni, luftojnë për ta mbajtur gjallë këtë shtet dhe nuk mësojnë nga serbet e Bosnjës dhe të Kosovës.

Sa për krahasim: Afrika e Jugut ka njëmbëdhjetë gjuhë zyrtare dhe shteti ka njëmbëdhjetë emra.

Aty ku sundoi aparteidi, gjuhë zyrtare janë edhe ato që fliten nga dy, tre e katër për qind të popullsisë. Përafërsisht 23 % flasin isiksoza, 30%, isizulu, 11,9 sepedi, 10% secuana, 3,4 sisvati, 2,9 çivenda dhe 5,6 % ksiconga, etj.

Në Maqedoni shqipja nuk është zyrtare, aty ku jetojnë më pak se 20 për qind shqiptarë. Në Afrikën Jugore gjuha me 2,9 për qind është gjuhë zyrtare. Në Kosovë gjuhë zyrtare janë edhe ato, që fliten me më pak se një për qind.

Dhe, kjo është mirë. Shteti nuk duhet të ketë të drejtë ta çzyrtarizojë gjuhën e qytetarëve të vet. Republika e Maqedonisë diskriminon shqipen dhe shqiptarët dhe shpërblehet me pezullimin e vizave, sepse politikanët shqiptarë heshtin.

Në webfaqen zyrtare të Qeverisë maqedonase mund të gjenden informacione në gjuhën maqedonase dhe angleze, por jo shqipe. Në webfaqen gjendet vetëm flamuri maqedonas, e jo edhe ai shqiptar.

Emrat e ministrave shqiptarë, edhe pse u luftua për barazi, shkruhen me alfabet maqedonas. Kjo, ministrat nuk i pengon, me rëndësi rrogat, pozitat e tyre. Gjuha shqipe nuk ka rëndësi. E kush na i ka fajet?

Askush, vet ne. Vetëm ne, mirëpo shtrohet pyetja pse u luftua? Deri sa ne vazhdimisht t'i kërkojmë fajet diku tjetër, deri atëherë do t' i përligjim dështimet tona dhe nuk do të ecim para.

Lugina
Harrojeni këtë! Ata edhe pse luftuan, nuk fituan gjë. Ka 60 vjet që nuk ndjehen keq me dërgimin grave në Vranjë për lindje. Nuk ia vlen të merremi me njerëzit, që kanë fuqi shtatzënat t' i dërgojnë 50 kilometra larg. Ata tjerrin iluzione! Le të tjerrin, le të vegjetojnë se kështu ndjehen të lumtur...

Epilog

Pas Luftës së Dytë Botërore, meritokracia rrëmbeu pushtetin dhe e mbajti me gjak deri sa gati i doli shpirti popullit dhe shtetit. Meritokracia e sotme shqiptare nuk mund të mbijetojë aq shumë, por ka shpresa. Ajo po dëmton vetveten dhe shtetin.

Në krejt trojet shqiptare kemi në krye meritokratë, që për çdo dështim i referohen të kaluarës dhe me veprat e tyre në të kaluarën, ata i japin vetes të drejtë ta mashtrojnë, ta vjedhin dhe ta shkatërrojnë imazhin e shqiptarit, sot, sepse dje kanë qenë të mirë dhe tani mund t' i lejojnë vetes edhe vjedhjen e shtetit, që ndihmuan në lindje, por nuk e ndërtojnë si duhet. Ata në një çast historik u treguan të mirë. Ata ditën ta ndihmojnë vendin në kohë krize, por nuk mund të kërkohet prej tyre në çdo kohë të jenë të mirë e të aftë.

Komunistët dështuan me rendin komunist, sepse duke iu qasur së kaluarës, trimërisë, sakrificës dhe çlirimit të vendit, qerasën me pozita, jo ata që dinin, por besnikët, injorantët dhe ata që meritonin në bazë të veprave në të kaluarën, kështu zaptuan shtetin dhe ekonominë duke e shndërruar në monopol sui geniersi. Sot, meritokracia, në Shqipëri, në Kosovë dhe Maqedoni do të dështojë edhe kjo, sepse cilësi tjera nevojiten në kohë lufte dhe aftësi tjera në kohë paqeje. Populli jeton sot, jo dje, meritat e djeshme nuk e ngopin atë sot. Puna e Qeverive matet me ndryshimin e standardit të jetës së popullit. Puna e Ministrit të Brendshëm matet me luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit. Nëse nuk ka çdo javë rezultate, le të ndërrohet. Puna e Ministrit të Jashtëm të Kosovës matet me njohjet e reja. Nëse nuk ka çdo muaj njohje, le të ndërrohet. Çdo ministri, çdo muaj duhet t' i paraqesë rezultatet e vet, kush nuk ka, duhet ndërruar...

Meritokracia e shty gurin deri këtu, më shumë nuk mundet. Trimëria e djeshme i shërbeu lindjes së shtetit, i duhet historisë dhe historianëve. Transparenca, objektiviteti, ndërtimi i shtetit ligjor dhe demokracisë kërkon njerëz të ditur, jo trima!

Arsyetim: Mahatma Gandhi, që ishte gjenial për kohën e vet dhe mbetet i tillë për gjithmonë, me filozofinë e vet arrit ta çlirojë vendin, por pas çlirimit duheshin aftësi tjera, që edhe Gandhi i madh nuk i posedoi. Ai deri në çastin fundit ishte kundër ndarjes së Pakistanit, sepse ishte i bindur se njerëz me kultura dhe religjione të ndryshme, mund të bashkëjetojnë. Ai deshi të krijojë vetëm një shtet, u lindën dy. Me Indinë lindi edhe Pakistani. Gandi me filozofinë e vet diti ta çliroj vendin, por jo ta mbajë atë që çliroi. Kjo dëshmon katërçipërisht se njeriu nuk ka aftësi për çdo periudhë historike, sepse në një fazë të caktuar dinë të ndërtojnë, por pasi të pushojnë shkaqet e lindjes, nisë rrënimi sepse mungon filozofia e re për periudhën re. Njerëzore është kjo! Këtë po e shohim në Shqipëri, këtë po e shohim në Kosovë, këtë po e shohim në Maqedoni e Luginë. Koha po punon për protagonistë të rinj, përndryshe do të bëhemi gazi i botës dhe do të vendnumërojmë si në kohën e komunizmit. Serbia e kapërceu Shqipërinë edhe pse luftoi me vite. Ajo arriti të konsolidohet, t' i pezullojë vizat, ta copëtojë Kosovën dhe ta meritojë ftesën e Sali Berishës...

Nëse unë jam katolik, para altarit dua ta shoh priftin, jo hoxhën. Nëse unë jam mysliman, në xhami dua ta shoh hoxhën, jo popin. Nëse unë jam demokrat, në krye dua ta kem demokratin, jo stalinistin. Popi në xhami ta prishë muslimanizmin. Hoxha në altar ta prishë krishterimin. Stalinist në krye të Partisë Demokratike, ta prishë demokracinë! Siç e ka prishur. Ai nuk e prishi demokracinë pse vërtetë e dëshironte këtë, por nga dëshira e madhe për t' u dëshmuar si demokrat, për ta korrigjuar të kaluarën e vet, për t' u ekspozuar ndryshe, me orientim të ri, për të krijuar bindje të reja. Ai nuk e bën këtë me vetëdije, ai mendon se po bën mirë, por ai drejtohet nga nëndija dhe urrejtja e biografisë së vet. Kryeministri e din se i ka vjedhur votat, por ai është i bindur se vjedhjen e ka bërë për të mirën e popullit. Ai pos metodave komuniste, tjera nuk njeh. Pra, ai ka dëshirë, por nuk mundet. Ky mund të quhet: ka-i-hollë-sindromë! Dëshirë po, dije jo! Kjo përshtypje fitohet nga skena jonë politike.
Me qetë e hollë e të dobët nuk lërohet ara! As me një ka të trash e të fortë dhe me një të dobët e me ambicie. Partitë tona nuk kanë potencial për t' i mbuluar vendet kyçe me njerëz të aftë e profesional, ato duhet të marrin njerëz edhe jashtë partisë.

Elita e sotme duhet ta shlyejë nga mendja se me meritat e djeshme meritohet, zaptohet, monopolizohet dhe privatizohet shteti si në kohën komuniste...

Me largimin e Kryeministrit shqiptar nga skena politike, ikën stalinisti i fundit në Europë, përfundon tranzicioni dhe nisë kultura demokratike dhe përparimi i vendit. Partia Demokratike ka dhjetëra njerëz, që mund ta bënin punën e Kryeministrit më mirë dhe me më përgjegjësi se sa ai.

Naser Aliu, http://letersi-perkthime-artikuj.blogspot.com/

No comments: