Wednesday, October 21, 2009

“Shqiptarët e mi” dhe “Mali i Zi – yni”

Pashë një ëndërr. Sikur Mali i Zi dhe Kosova ishin bërë të pavarur. Kori në aulat e senatit të Washingtonit këndon himnin amerikan në gjuhën malazeze dhe shqipe, ndërsa refrenin e këndonin njëkohësisht në të dyja gjuhët.

Me dekret të të dy shteteve, në Sallën e Rrumbullakët, kufijtë janë shpallur si vende ku njerëzit nuk ndahen, por bashkohen, rojat e kufirit po ndërrojnë flamujt shtetërorë, të cilët i ngjajnë njëri-tjetrit. Tani kompozitorët e kompozojnë himnin shqiptar dhe malazez si kontrapunkt, merret vendim (i shqiptuar në anglisht) që fëmijët shqiptarë të mësojnë në shkollat e fshatit pasazhe të painkriminuara nga “Kurora e maleve”, kurse nxënësit e shkollave të mesme malazeze të krahasojnë pjesë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit me Enciklikat e Shën Pjetrit. Ligji për multikulturën, i ndërtuar mbi parimet e Deklaratës për të Drejtat e Njeriut, nënkupton përfshirjen e “besës” në matricën e eposit heroik malazez, ndërsa pleqtë e Malit të Zi, në Ditën e Krishtlindjeve dhe në Ditën e Flamurit, të vajtojnë Mark Miljanovin si në ditën e vdekjes së tij...



*
Shoh një ëndërr sikur mua, i sëmurë për vdekje, më mban në duar një nënë plakë nga Prizreni dhe pëshpërit: “Çou, Rexho, çou djalo, se s’ka nana tjetër o!”, ndërkohë përreth meje çikat e Belasicës shtrojnë çarçafë të bardhë në shtegun ku do të kalojë kolona e UÇK-së, që mua, poetit, jo ushtarit, para se të më dalë shpirti, të më vendosin në gjoks, në vendin ku zemra ime rreh gjithnjë e më dobët, unazën e Skënderbeut: një përkrenare mesjetare në miniaturë e heroit kombëtar nga mali i Krujës.
Pastaj dëgjoj klithmën e shqiponjës, e cila zbret thikë mbi qytetin e vjetër tivaras dhe i vërsulet me kthetra kryqit të kupolës së manastirit benediktian.

Ngryset shpejt, sepse është vjeshtë, i ftohti ka filluar dhe mjegulla e Rumjes ka ra, por ajo s’mund ta mbulojë muzikën e dasmave myslimane të Goranës... Daullet e kërcimtarëve të Rugovës hyjnë në vallet çrmikase, ku vajzat u hedhin livandë dhe bisqe vojmësi, ndërkohë princat e Seocës, Godinjës, Limljanës, Draçevicës dhe Krnicës i thërrasin të gjithë Lekiçët, Lekoviçët, Orlandiçët, Pekiçët, Dobreçët, Lukiçët dhe Karanikiçët e tyre në parlamentin malazez për ta miratuar dekretin e kumbarisë së Krajnës me Sanxhakun e Shkodrës...
Dëgjohet nga larg thirrja e Krajlit Nikollë për vëllazërimin e tri feve.

*
Vazhdoj të shikoj ëndërr. Sikur nata është e pafund dhe e sigurt, se si në Durrës miku im, Ariani, më pret në sallën ngjyrë jeshile pastel, kurse unë i lutem të hedhim një valle dervishësh. Nuk pranoj të më shpojnë me gjilpërë majën e gishtit, por marr nga dora e mikut një gjethe borziloku dhe e vë në vesh – thith erën e shpirtit të ortodoksëve të mi.
Në atë kohë, veshi na kap këngën e furrtarit të sokakut të Gjirokastrës, ku gruaja e priftit të këtushëm kishte fshikulluar me thupër Enver Hoxhën fëmijë, kurse unë dhe Ariani filluam të përsërisim “aman-aman...” Pastaj ca shqiponja të fuqishme na marrin në krahët e tyre dhe na çojnë në një anije të linjës Sarandë – Ulqin. Anija është e bardhë, kuverta e saj është plot me pasagjerë të veshur me kanotiere të kuqe me mbishkrimin në cirilik: “Shqiptarët e mi” dhe në latinicë (latin) “Mali i zi – yni”.

*
Jam ende në ëndërr, kështjellë strehimi dëshirash, por tani një mik nga Vasojeviç më ka marrë me vete dhe më shpie në varrezat e tij. Lexoj në kryqet e varreve: Veshi, Bulati, Zogu, Kolashini, Leshi, Peraj, Gjurbaj.
“Të gjithë këta janë partizanë nga anët tona, rënë nga dora tradhtare”, më pëshpërit në vesh miku im.
“Cilët tradhtarë?”, pyes unë.
Ai përgjigjet: “Ata që nuk kanë besuar në komunizëm, nuk kanë besuar në vëllazërimin e popujve të botës, nuk kanë besuar unitetin në diversitet, ata që nuk kanë respektuar të Ndryshmin si veten e tyre.”



*
Kështu, më tej shoh ëndërr për një mision të pamundur, por diçka më thotë se kjo natë është mjaft e gjatë për të duruar galimatiasin fisnik. Një xhuxh plak, që ka hyrë në ëndrrën time pa radhë, kërkon të më mësojë historinë, më deklamon betime për identitetet, po e dëgjoj atë recitim në gjuhë të përziera ballkanike, një deklamim për atë sesi që nga trako-iliro-grekët është komplotuar kundër mirësisë njerëzore dhe naivitetit, por edhe për shpirtligësinë politike, kurse unë po ndiej, megjithëse shpjeguesit e ëndrrave më pëshpëritin se në ëndërr ndjenjat nuk ndihen, sesi në ëndrrën time ngjitet, si bollujcë që zvarritet vjedhurazi drejt folesë plot me zogj, mbresa se pikërisht ngulmimi në identitet ka sjellë humbjen e identitetit të tërë popujve dhe etniteteve tona ballkanike. Në ëndrrën time nuk mund t’i provoj askujt se identiteti nuk provohet por nënkuptohet, sepse, sa fillon me provat, rritet bezdia trako-iliro-greke deri në gjakderdhje, çka nuk e dua në ëndrrën time.

*
Ëndrra që dëshiroj të shoh për Malin e Zi të pavarur dhe të njohur botërisht dhe për Kosovën e pavarur multietnike dhe multifetare, ndoshta me të vërtetë po vjen dhe vendoset tek unë më fort se shpresat, me të cilat po më mbushin udhëtarët që kanë pushtuar krejt hapësirën e ëndrrës sime, pasi kanë dalë nga anija që i solli nga Saranda në portin e Ulqnit. Futem në turmën e udhëtarëve nga ëndrra dhe i kërkoj njërit kanotierën e kuqe. Ai e heq dhe ma zgjat, unë e vesh dhe ua tregoj me krenari të gjithëve.
Bërtas, sikur nuk dihet, sikur secili në ëndrrat e mia s’e ka tashmë të qartë, se slogani i përgjigjet dimensionit të shpresës. Fjalë të bardha në copën e kuqe prej pambuku në gjoksin tim: “Shqiptarët e mi” dhe “Mali i Zi – yni”.
Shoh ëndërr, sepse kam frikë të zgjohem. Sepse në ëndrrën time për të satën herë ndërfuten shqiptarët, të cilët po më ruajnë nga malazezët tanë, kurse shqiptarët tanë po shpëtojnë malazezët e tyre nga shqiptarët e mi, të cilët janë dhe malazezët tanë. Gjithçka sillet në hipnozën e dëshirave të mia, që fati ynë i përbashkët, i përvuajtur në pjesën e mirë të tij, të drejtohet në rrugën e bashkëjetesës, e cila nuk është aq larg, as aq e vështirë, në qoftë se arrihet të shkrihet “imja” dhe “jona” në një të vetme, të madhe, deri në ditën kur të bëhet realisht një jetë e përbashkët.


Atëherë do të vijë çasti kur për një dëshirë, për një shpresë dhe për një mundësi të tillë, nuk do të duhet ëndrra, pasi do të jetoj realitetin e jetës së përbashkët, të fatit dhe të ardhmes së përbashkët.
E deri atëherë... po shoh ëndërr.


Jovan NIKOLAIDIS, G.ALBANIA

No comments: