Sunday, October 4, 2009

Të dënuar të bashkohemi (Aleancë me djallin)

"…por edhe me të birin", po të jetë e nevojshme për shtetin e dytë shqiptar në Kosovë...për gjysmë shtetin shqiptar në Maqedoni, apo për shtetin përfundimtar shqiptar në Ballkan.

Dhe kur të mbarojë ky proces, atëherë politika shqiptare mund dhe duhet të ndërtojë aleanca të tjera edhe me të tjerë.
Pohimi i mësipërm nuk ka asnjë dozë nacionalizmi apo racizmi, apo antidemokracie. Në të kundërtën ai synon t'i kujtojë politikës shqiptare në trekëndëshin politik Tiranë-Prishtinë-Tetovë përvojën e të tjerëve, të francezëve, anglezëve, grekëve, gjermanëve etj., në kohën kur ata hidhnin themelet e shteteve të tyre. Titulli figurativ "Aleancë edhe me djallin...", por edhe me të birin... ka dalë në plan të parë tashmë, kur Kosova në veçanti dhe në tërësi çështja shqiptare ndodhet në "finishin" e saj. Dhe në finish gara bëhet edhe më e fortë, në finish edhe bërrylat janë më të shumtë. Por fatkeqësisht, përgjatë një shekulli politikë, shumicën e rasteve i kemi humbur pikërisht në "finish".



Eshtë një marrëdhënie e re politike që kërkohet për politikën shqiptare në gjithë hapësirën e saj. ("Problemi i Kosovës - deklaroi më në fund Kryeministri i Prishtinës, Çeku në Tiranë - është problem në radhë të parë i shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Ulqin etj.". "Statusi i Kosovës është pavarësia dhe kjo nuk ka alternativë", - u shpreh Kryeministri i Tiranës, Berisha. "Kosova u përket shqiptarëve", - do të shprehej befasisht lideri i opozitës së Tiranës, Rama, po në Prishtinë. "Nuk vjen në shprehje konfederata me Serbinë, do ta shpallim pavarësinë", do të shprehej lideri i opozitës shqiptare të Prishtinës, Thaçi. "Maqedonia duhet të ndahet", deklaroi me forcë ish-kryeministri i Maqedonisë dhe bullgaro-maqedonasi Georgievski. "Ajo edhe sot po vepron si një shtet federativ midis maqedonasve dhe shqiptarëve". Një deklaratë që më shumë se parashikim, më shumë se goditje për Gruevskin dhe Cervenkovskin, shërben si kambanë zgjimi politik për Ahmetin, Thaçin, Mahmutin, Veselin etj., në formën e kujtesës, duke u thënë se "boll punuat për të tjerë, boll me globalizëm; mendoni më në fund për trojet dhe kombin tuaj".)

Kjo marrëdhënie e re politike e trekëndëshit shqiptar Tiranë-Prishtinë-Tetovë, lypset të formësohet dhe ristrukturohet në disa drejtime. Trekëndëshi shqiptar Tiranë-Prishtinë-Tetovë ka nevojë të institucionalizojë marrëdhëniet politike. Sa kohë që pranohet se kemi të bëjmë me një hapësirë të një kombi, aq kohë politikanët e tij, megjithëse përkohësisht jetojnë në shtete të ndryshme, kanë nevojë të konsultohen bashkërisht. Vizitat e ndërsjella partiake apo qeveritare bilaterale, apo më shumë se kaq, kanë qenë dhe janë për probleme dytësore. (Jo pak herë të tre "kryeqytetet" shqiptare janë përdorur nga politikanë të ndryshëm për kapital të ndërsjellë politik personal apo partiak). Institucionalizim marrëdhëniesh do të thotë që të kesh një zë të përbashkët për problemet madhore të kombit shqiptar. Po bëhem më konkret; përgjigjja e pyetjeve të mëposhtme do të thotë të jesh konkret dhe jo deklarativ: Cili është qëndrimi i përbashkët i Tiranës-Tetovës-Prishtinës lidhur me ndarjen faktike të Kosovës, cilat do të jenë hapat e mundshme për t'u hedhur? A është dakord trekëndëshi shqiptar që përballë ndarjes reale të hedhë në tregun politik bashkimin real të shqiptarëve apo do të vazhdojë të flasë me ndrojtje, me frikë vetëm për tensione dhe ndryshime kufijsh. Cilët kufij do të ndryshojnë dhe a duhet të ndryshojnë? (Voin Lazarevici, një nga pronarët e kompanisë së njohur të shpërndarjes së energjisë elektrike EFT dhe mik i Koshtunicës, vizitoi disa kryeqendra të Evropës lidhur me modalitetet e ndarjes së Kosovës). A ka ndonjë të dërguar të Tiranës që të vizitojë po këto kryeqendra apo të tjera në gjithë botën lidhur me bashkimin e shqiptarëve?
Cili është qëndrimi i përbashkët i Tiranës-Prishtinës-Tetovës lidhur me konfederatën Beograd-Prishtinë, tezë që ka filluar të qarkullojë ditët e fundit nga disa kancelari evropiane? Po lidhur me konfederatën shqiptare Tiranë-Prishtinë, të cilën e kanë artikuluar disa parti shqiptare, por të cilën nuk e ndalon as Plani Ahtisari? Ka edhe pyetje të tjera. Por edhe kaq mjaftojnë për të konkluduar se kërkohet një qëndrim i ri politik, një marrëdhënie e re politike. Të tjera aleanca kërkon shteti dhe të tjera aleanca pushteti. Kosova kërkon të bëhet shtet dhe kjo kërkesë është pjesa minimale e problemit shqiptar. Por, edhe shqiptarët si komb kërkojnë të bëhen shtet. Dhe kjo është kërkesa natyrale e kombit shqiptar. Deri më tani kemi të bëjmë me një aleancë tradicionale të shqiptarëve në SHBA, të cilat me të drejtë konsiderohen strategjike. Kemi të bëjmë me një aleancë evropiane, të cilën në disa raste e konsiderojmë gabimisht strategjike, siç ndodh kur flasim për Greqinë dhe Italinë. (Marrëdhëniet me Greqinë dhe Italinë, askurrë nuk mund të barazohen me marrëdhëniet me SHBA). Deri më tani kemi të bëjmë me hezitim në marrëdhëniet me shtete të tjera të fuqishme në botë, herë për shkak të regjimeve të tyre apo herë për shkak të religjionit, apo herë për shkak të luftës për pushtet në Tiranë, Prishtinë apo Tetovë. Sa kohë që një ministër i një shteti-xhuxh si Luksemburgu deklaron me megalomani se SHBA nuk ka punë në Kosovë, aq kohë trekëndëshi politik Tiranë-Prishtinë-Tetovë duhet të kërkojë aleatë deri në Afrikën e Jugut, në Brazil, në Australi, në Meksikë, në Zelandën e Re, në Arabinë Saudite, në Pakistan, në Egjipt, Kazakistan, Mongoli etj. Pra, kudo ku gjen mbështetës të çështjes shqiptare. Kosova dhe çështja shqiptare nuk janë vetëm problem evropian, siç po thuhet shpesh pas mbledhjes përçarëse të Portugalisë, ato janë problem amerikan dhe botëror. (Historia nuk duhet rishkruar vetëm për shqiptarët, por edhe për evropianët). Gjendja aktuale e Kosovës dhe kombit shqiptar të shpërndarë në pesë shtete është një produkt i pastër evropian, natyrisht i fillim shekullit të 20-të. Bosnja e masakrës etnike të viteve '92-'95 ishte një produkt i pastër evropian i fundshekullit të 20-te. Dhe e fundit, ata që urdhëruan bombardimin e ish-Jugosllavisë për të penguar spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, nuk ishin evropiane, por amerikane. Ndërsa në Evropë pati protesta të fuqishme kundër bombardimeve. Kosova kërkon shtetin e saj, kombi shqiptar kërkon shtetin e tij të mohuar për një shekull. Në funksion të këtij synimi janë dhe duhet të jenë të mirëpritura ndihma dhe aleanca me të gjithë, përfshi edhe "djallin". Edhe nazisti Ribentrop dhe fashisti Ciano, të cilët krijuan Shqipërinë e Madhe, duhet të jenë aleatë. Edhe Nursulltan Nazarbajevi, presidenti "pluralist" që fiton gjithmonë 98 për qind të votave duhet të jetë aleat. Edhe Musharafi i Pakistanit duhet të jetë aleat.
Sepse: Shteti nuk ka ngjyrë, atë e ka vetëm pushteti.

Prandaj: Aleanca me djallin. Por edhe me të birin për shtetin e ri shqiptar të Kosovës, apo shtetin e kombit shqiptar në Ballkan, është jo thjesht një imperativ, por edhe një nocion progresiv dhe euroatlantist.

Nga prof. Koço Danaj 07'

No comments: