Pas rënies së komunizmit, pikërisht në kohën që u duk se shumë gjëra do të viheshin në vend ose, së paku, do t’i nënshtroheshin një procesi sqarimi e lustracioni, faza e parë e qortimit të fajit historik, ndodhi e kundërta. Një mjegull e një pështjellim që sa vinte dendësohej u shtri në mënyrë këmbëngulëse në të gjitha fushat e jetës.
Fakti që sot, në kohën që po shkruhen këta rreshta, Shqipëria, për turp të saj, ende po lëkundet t’i hapë ose jo arkivat e fshehtë, të dënojë ose jo krimet e komunizmit, dëshmon më së miri katastrofën morale që ky vend e pranoi si një kalendar të përditshëm. Një vend që refuzon të shqyrtojë ndërgjegjen e vet, tregon se nuk ka asnjë vullnet t’i thotë lamtumirë së keqes, rob i së cilës ka qenë.
Para ca kohe ende na dukej se ende e kishim të drejtën të krenoheshim që përmbysja e diktaturës ndodhi te ne pa përplasje. Dyshoj se së shpejti, në qoftë se ende nuk do t’u japim plotësisht të drejtë atyre që mendonin se një përplasje do të ishte, ndoshta, më e shëndetshme se ky flirt i shëmtuar më të keqen, së paku do t’i dëgjojmë me vëmendje. Flirti ka qenë dhe vazhdon të jetë tepër i rëndë. Ai po thyen në mes moralin shqiptar dhe thyerja e këtij morali është baza ushqyese e korrupsionit, kundër të cilit flasim aq shumë e bëjmë aq pak.
Për t’u kthyer në fushën e kulturës, kemi qenë të gjithë dëshmitarë se si druajtja e ditëve të para u kaloi shumë shpejt njerëzve që ishin zhytur në krim, denonciatorëve, ata që pa asnjë mëshirë kishin çuar drejt burgut ose pushkatimit kolegët e tyre, ata që as vendet e quajtura “borgjeze”, demokracitë europiane, nuk i falnin. Druajtja iu doli shpejt, sepse shumë shpejt e kuptuan se ata, jo vetëm nuk dënoheshin, por, përkundrazi, filluan të çmohen. Të dy krahët e politikës i quanin thesar të paçmuar dijenitë që kishin për militantët e përlyer të krahut kundërshtar (dijeni të grumbulluara gjatë kohës që kishin qenë në pushtet), sepse në këtë mënyrë do të mund te shantazhonin krahun tjetër, sipas parimit: ti mos prek të mitë, unë s’prek të tutë.
Kjo ndodhi në të gjitha fushat, e sidomos në kulturë. Dhe kështu, llumit të kulturës shqiptare jo vetëm i doli droja, por u ndie i inkurajuar si dikur dhe, si dikur, me oreks të shtuar nisi të kërkojë poste, ndere, dekorata, tituj akademike etj., që qeveritë shqiptare të të dy krahëve, me një bujari të paparë po ua jepnin dhe vazhdojnë t’ua japin ende sot.
Zërat që u ngritën kundër një flame të tillë, shkrimet dhe librat që u botuan, ndër të cilat vepra monumentale, si “Rrno vetëm për me tregue” e At Zef Pllumit, ose vepra të rëndësishme e tronditëse, si “Lufta civile në Shqipëri” e Uran Butkës, “Disidentë të rremë” e Sadik Bejkos, e të tjera si këto, nuk e ndalën dot përroin e turbullt që nga rrënojat e diktaturës po ngrinte prapë në sipërfaqe njerëzit e saj.
Në sulmin e saj e keqja sa vente bëhej më e pafytyrë. Jo vetëm s’dukej asnjë shenjë e ndëshkimit për denonciatorët e veglat e terrorit komunist, por postet që ata zinin arrinin përherë lartësi të reja.
Gjithë Shqipëria e dinte, ndërkaq, se ata kishin zënë vend në parlament, në partitë politike, në qeveritë e të dy krahëve, por Shqipëria e lodhur ose e papërgjegjshme u pajtua me këtë shëmti. Gjithë Shqipëria i shikonte dhe vazhdon t’i shikojë përnatë në ekranet e televizorëve, ose edhe më keq, në tribuna festive, ku, shëmturisht të mallëngjyer, marrin tituj nderi, ata, shumë prej të cilëve do ta kishin vendin në burg. Dhe Shqipëria, e lodhur, prapë hesht dhe mësohet me të keqen.
Shekulli

Autori: Ismail Kadare
No comments:
Post a Comment