Thursday, October 1, 2009

Studimi sekret, marrëveshja me Greqinë. Si u fal Ngushtica e Otrantos !

Marrëveshja shqiptaro- greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve shkel hapur sovranitetin kombëtar të Republikës së Shqipërisë, ndaj ajo nuk duhet ratifikuar nga Parlamenti”.



Ky është konkluzioni i një studimi prej 117 faqesh të ish-drejtorit të Institutit Tipografisë Ushtarake të Shqipërisë, kolonelit Myslym Pasha, njëherësh profesor me gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, i lauruar me titullin “Mjeshtër kërkimesh”. “Gazeta Shqiptare” boton sot ekskluzivisht pjesën më pikante të këtij studimi, i cili thellon më tej skandalin që fshihet në këtë marrëveshje, të depozituar tashmë për ratifikim në parlament. Detajet e këtij studimi nxjerrin në pah paaftësinë e qeverisë shqiptare për të mbrojtur sovranitetin e Shqipërisë, duke pranuar firmosjen e një dokumenti që cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor.
Rezultatet e studimit tregojnë se pala shqiptare nuk ka shtruar asnjë argument dhe nuk ka kundërshtuar ndonjë tjetër. Thjesht janë pranuar pa asnjë kusht dhe kundrejt asnjë kontestimi të gjitha propozimet e kërkesat e palës greke. Qeveria shqiptare, me vetëdije ose për paaftësinë e ekspertëve të saj të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme tenton tani të ratifikojë me shumicë votash këtë dokument. Në datën 25 qershor, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e miratoi këtë marrëveshje dhe tani pritet që fjalën e fundit ta thotë seanca plenare e 19 tetorit. “Studimi në argumentet e tij teknikë, gjeohartografikë, synon si hap të parë krijimin e një opinioni mbarëkombëtar, për të mos e ratifikuar këtë Marrëveshje”, - shprehet profesor Pasha.

* * *

STUDIMI

Studimi ka karakter teknik, ai mat, pasqyron, nxjerr rezultate dhe përqas. Studimi në argumentet e tij teknikë, gjeo-hartografikë, synon si hap të parë krijimin e një opinioni mbarëkombëtar, për të mos e ratifikuar këtë Marrëveshje. Studimi është vetjak. Ai nuk përfaqëson ndonjë agjenci, bashkësi studimore; nuk ka asnjë shtysë politike apo nacionaliste. Ai është vetëm një oponencë studimore.

ARKIPELAGU

Në Marrëveshje, kërkund nuk përmendet termi: "Arkipelag". Vetëm se: "Kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë. Në mënyrë më specifike, vija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale ashtu dhe ishullore) nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare". Por terma të tillë nuk gjenden në UNCLOS (Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit).

RASTI I REPUBLIKËS SË GREQISË

Greqia është një bashkësi siujdhesash e përzgjatur si dhe ujdhesash, në detin Egje dhe atë jonian. Ndër të mëdhatë e saj është siujdhesa e Peloponezit, si vijim i tyre dhe arkipelagët e saj. Në këtë gjeografi, me një dendësi të madhe ujdhesore që njihet prej të gjithëve, prapëseprapë nuk është "shtet arkipelag", por në përbërje të tij "përfshin tërësi ujdhesash arkipelagore" si pjesë jetësore e Republikës së Greqisë. Kësisoj, në nismën për të ndarë ujorin në Ngushtesën Veriore të Korfuzit, që ndërmjetëson të dy shtetet tona fqinje, vëmendja jonë përqendrohet ndaj Arkipelagut të Ujdhesave Jonianë që ndodhet në perëndim. Shqipëria, në jugperëndimin e saj ndodhet përballë me Ujdhesën e Korfuzit dhe arkipelagun e tij. Shqipëria nuk është përballë me Greqinë kontinentale (gadishullore = siujdhesore), por me një ENTITET (Arkipelagu i Korfuzit), pjesë e Republikës së Greqisë. Ajo që përcaktohet në Marrëveshje: "Kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë. Në mënyrë më specifike, vija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale, ashtu dhe ishullore) nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare", është shtrembërim i plotë.

KUSHTET E UNCLOS

Ujëra që qarkohen nga vija periferike e cila bashkon ishujt anësorë:
1. Në gjirin e Kërkyrës = 69 km2
2. Në gjirin e Mesongit = 66 km2
3. Tërësia ujore midis ishujve Mathraki, Othoni, Erikuza = 200 km2
4. Gjiri Perëndimor Ermone = 92 km2
5. Ujra Korfuz Paxoi = 120 km2
Gjithsej = 610 km2
Raporti : Ujor : Tokë, 610 km2 : 625 km2 = 0,91
MATJE DHE LLOGARITJE PËR ARKIPELAGUN E KORFUZIT
UJDHESAT SIPËRFAQJA km2
KORFUZI 592.877
OTNONOI 10.078
MATHRAKI 5.532
ERIKUZA 4.449
PAKSOI 27.000
ANTIPAKSOI 6.000
LLOGARITJA PËR ARKIPELAGUN E KEFALLONISË
UJDHESAT SIPËRFAQJA km2
LEKADHA 355.936
ITAKA 117.812
KEFALLONIA 906.500
ZAKYNTHOS 406.000
SIPËRFAQE
E PËRGJITHSHME 1606 km2

RAPORTI UJE-TOKË, QË NUK PLOTËSON KUSHTET E UNCLOS

Llogaritja e raportit Ujor : Tokë për grumbullin e dytë të ujdhesave që nuk kanë kufij me Shqipërinë: Sipërfaqe e përgjithshme: Tokë + Ujorë, nisur nga kufizimi periferik i ujdhesave: 3087 km2. Ndryshimi: 3087 - 1606 = 1481 km2
Raporti: Ujë : Tokë, 1482 km2: 1606,2 = 0,993. Nga shqyrtimi i të dy arkipelagëve KORFUZ, KEFALLONI del se ata nuk i plotësojnë kushtet për të hequr vijëdrejtat bazore që bashkojnë ujdhesat skajore. Kësilloj, jemi të ndryrë brenda një neni i cili trajton, në mënyrë krejt të përgjithshme, dhe pse të mos themi, hermetike, lidhur me vijat bazë (ne i quajmë vija bazore), ku shfaqen të dy versionet që i trajtuam një paragraf më sipër, pra: Kontinentale (Greqia Gadishullore, ku është Kontinenti, main land) dhe ujdhesore (që ne e kemi quajtur dhe trajtuar si Arkipelag, me qendër Korfuzin, main island). Të dy termat që përdoren, bëhen të pakuptueshëm, për ne, mbasi asnjë terminologji e tillë nuk haset në UNCLOS.

NJË PËRFUNDIM PËR TERMIN "Arkipelag i Korfuzit"

Prej trajtesës rrjedh se për të zbatuar kërkesat e Konventës, arkipelagu i Korfuzit, përfaqëson njësinë gjeografike, që ndodhet përkundruall Jug/Perëndimit të Shqipërisë, nga brigjet e së cilës nismon Deti Jon. Në bazë të të gjitha përcaktimeve, të dhëna më sipër, Greqia nuk është një shtet Arkipelag, por në përbërje të saj ajo ka dy arkipelagë. Ky është një ndryshim thelbor, të cilin palët nuk e kanë marrë parasysh, as e kanë cekur kund, po ma do mendja, atëbotë, as edhe e kanë diskutuar. Ritrajtimi që po i bëjmë, nuk mund të quhet ritrajtim, sepse nuk ka pasur rast, ndonjëherë tjetër, që midis dy vendeve të jetë shtruar një kusht, një tezë, një problem ndarës, bazuar në kërkesat e një Konvente. Po kështu prej palës sonë, nuk ka gjëllirë dëshirë studimi të thellë i kushteve të veçanta që rekomandon UNCLOS. Sa më sipër nxjerrim si përfundim se: Në përcaktimin e kufijve detarë dhe të Shtratdetit Kontinental, me Arkipelagun e Korfuzit që përbëhet nga 14 ujdhesa, nuk do të përdoren vijëdrejtat bazore që bashkojnë pikat skajore ujdhesore, por vijat bazore nga ujdhesa kryesore, Korfuzi. Kjo nuk është marrë parasysh.

GJIRI I SARANDËS DHE BUTRINTIT SIMBIOTIKË

Përfytyroni tërësinë ujore të brendshme të Kaonisë së dikurshme. Në themel, në jug Buthroti dhe lidhja me Detin. Gjiri shtrihej deri në këmbët e Çukës së Ajtoit në jug dhe të Foinikes, në veri. Të dy fushat e sotme të Vrinës dhe të Mursisë ishin pjesë e këtij gjiri që mbante në pëqi Buthrotin dhe Foiniken. Legjenda e Onhezmit, mund të lexohet nga të dy anët, si nga perëndimi ku është Ngushtesa e Korfuzit, po edhe nga lindja, ku vijonte Gjiri i Butrintit i cili në Çukën e sotme, ku zbriste Bistrica, lidhej sërish me detin e gjirin e Onhezmit (Sot është kanali i Çukës). Shtrirja gjeo-historike e te dy gjireve është një mbresë e pashlyer e këtij Dheu dhe Deti që vargoi i kodrave të Ksamilit nuk i ndante, por në të vërtetë bashkonte jetët e tyre të njëmendta. Në bisedime, duket se as që nuk është argumentuar dhe nuk është trajtuar veçoria historike, gjeostrategjike dhe ekonomike e GJIRIT TË SARANDËS. Vijat bazore janë marrë deri në portin e qytetit dhe ish bazën detare, Limion. Kjo ka sjellë humbje në Detin Shtetëror të Shqipërisë.

KEPI I STILLOS

Po të merret për bazë, harta gjysmë e publikuar, na lëshon një rreze dritë, për të parë se si janë ndarë kufitë ujorë në fillim të kësaj ngushtese historike për të dy vendet, aty ku përballë njëri-tjetrit janë gjeo-hapësirat tokësore, të Kepit të Stillos dhe ujdhesës me të njëjtin emër, pranë tij si dhe përballë, kepi Sidero në pjesën juglindore të Kërkyrës. Le ta përfytyrojmë këtë hyrje - grykë dhe të vështrojmë nga të dy anët, në një vijë që do të kalonte përperndikular me prirjen që ka hapësira ujore e cila vijon në drejtimin veriperëndimor. Sipas asaj harte, të gjysmëpublikuar, nëse matim largësinë nga Kepi Sidero deri në Kepin e Stillos ajo rezulton: 8180 metra. E matur, në hartën e cituar më sipër, kjo largësi në hartë është 56 mm (në shkallën e hartës). Nisur nga vija e mesme (që thuhet se është e baraslarguar nga të dy buzëujët dhe takim me tokën) raporti është si më poshtë:
Në drejtim të ujërave greke = 35 mm ( 62.5%) = 5400 metër
Në drejtim të ujërave shqiptare = 21 mm ( 37.5%) = 2780 metër.
Siç mund të vihet re ky ndryshim është = 2612 metër.

FILLIMVIJA NDARËSE UJORE DETARE

Po të merret parasysh drejtimi që jep prej pir kufitare 79, Komisioni Ndërkombëtar ( 1913-1925) vijimi duhet të shkojë deri në takim me ujdhesën e Korfuzit. Kjo largësi është 16 km. Kjo vijë duhet të konsiderohet fillimore. Mesorja e kësaj vije (në largësinë 8 km) do të jetë edhe pika e parë e fillimit të mesores se Ndarjes se NVK. Pika 23 është takim me drejtimin: Stillo- Kërkyra. Pika 26 është pikë që përkon me ndarjen e rregullt sipas marrëveshjes,( normal me vijëdrejtën bazore). Nëse do të pranohej vija e drejtë përmbyllëse e ishujve anësorë ashtu sikundër është pranuar në të gjithë procesin e zbatimit të UNCLOS, për këtë marrëveshje, atëherë përmbyllja e gjirit të Kërkyrës, nuk i takonte të ishte në kepin Sidero, por në vijën përmbyllëse të përfshirjes së ujdhesës Vido. Pra, vijëdrejta bazore, bashkon kepin e Karagollit ku kemi prirje nga perëndimi. Brenda kësaj vije përfshihet edhe ujdhesa Vido. Po mesa duket, me qëllim, nuk është marrë për bazë kjo vijë, por vetë bashkimi i të dy kepeve, të cituar më sipër: i Karagollit dhe Sidero. Kështu, po të merrej vija bashkuese, në ujdhesë kjo largësi do të ishte: 6780 metër prej kepit të Stillos, çka përbën një ndryshim ndaj vijës bashkuese me rreth 600 metër, që në këtë rast do t'i shtohej largësisë së dhënë më sipër duke arrirë në: 2670 metër.
Segmenti ujor i shtetit fqinj, Greqisë arrin në 5794 metër.

BARKETA

Përballë Korfuzit në gjirin e Tetranisit (Ksamil) ndodhet një bashkësi prej katër ujdhesash të cilat i përkasin Shqipërisë.
Ndërkaq, përballë kepit të Mërtesës (Vrojtimit) në vijnë lindje/perëndim drejt Kepit Varvara (Korfuz) ndodhen të dy ujdhesa shkëmbore, Tignosso dhe Barketa të cilat janë të pasqyruara në të gjitha hartat historike detare. Nëse gjatë ndarjes kufitare të Komisionit Ndërkombëtar është marrë parasysh, mesorja që ndan ngushtesën detare në këtë vijë, atëherë del se Shkëmbi Barketa ndodhet rreth 60 metër, në drejtimin e tokës shqiptare çka tregon, se për hir të baraslargësisë në Ngushtesë, vetëm, Barketa, duhet t'i takonte Shqipërisë, ndërsa Ujdhesa Tignosso, përfshihet në arkipelagun e ujdhesave të Korfuzit.

BARKETA, SI SKAJ I ARKIPELAGUT.

Po të shihet me vemendje harta detare ndarëse, ky shkëmb (Barketa) është konsideruar në mënyrë krejtësisht të gabuar, si një pikë kufizuese anësore, e fundme, e vijëdrejtës bazore që bashkon, në kundërshtim me UNCLOS, shkëmbinjtë periferikë (atolls) të arkipelagut (Serpa, Barketa, e mandej në Kepin e Kasiopesë). Prej kësaj vije, është bërë ndarja e cila të drejtën e ka kthyer në të padrejtë. Barketa ndodhet në lindje të mesores së Ngushtesës Veriore të Korfuzit, rreth 60 metra dhe sipas njoftimeve të mesvijës në Ngushtesë ajo kryeherët duhej t'i përkiste Shqipërisë, por askush nuk është kujtuar për të.
Tani, lind një argument i ri, zbatimi i UNCLOS si një Konventë e re, pas vitit 1913, kur u ndanë kufijtë shtetëror tokësorë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas saj, bie poshtë përfshirja e ujdhesave me vijëdrejta, pra baza e nisjes duhet të ndryshojë.
Këto duhet të ishin argumente në bisedimet paramarrëveshje, të cilat do të kishin mospërkime të thella. Natyrshëm.

GJIRI HISTORIK I SARANDËS, GJI I SHPËRFILLUR DHE I BRAKTISUR

Ky Gji është trajtuar si një vijë bregore detare e zakonshme. Matjet për përcaktimin e mesores i përkasin meslargësisë midis të dy brigjeve: Sarandë- Breg Korfuzi. Ujërat e brendshëm "historikë" janë konsideruar si "Free bay = gji i lirë" për t'u ndarë me shtetin fqinj. Ai në mënyrë tërësore është Det Shtetëror i Shqipërisë.

PRIRJA DREJT VERIPERENDIMIT NE NGUSHTESËN E OTRANTOS

Në këtë rast nuk është zbatuar "UNCLOS". Është ndërprerë në mënyrë tërësore, e drejta e Shqipërisë për një pjesë sovrane në ngushtesën e Otrantos, në cënimin detit shtetëror dhe hapësirës së afërt vijimore (contigous zone) si dhe hapësirës së veçantë ekonomike (exlusive economic zone). Pozicioni gjeografik i brigjeve shqiptare është tregues real dhe gjeohistorik, ato ndodhen përballë brigjeve të Italisë. Pra, dy shtete përballë njëri-tjetrit janë Shqipëria dhe Italia. Ky "status" i së Drejtës Detare, i është privuar Shqipërisë. Një nga kërkesat kryesore, të UNCLOS është që "Sistemi i vijave të tilla bazore (vijëdrejtave) nuk do të aplikohen nga një Shtet arkipelag në atë mënyrë që të presë vijimin ndaj deteve të lartë ose Hapësirës së Veçantë Ekonomike e Detit Territorial të ndonjë shteti tjetër". Në këtë marrëveshje nisur nga ujdhesa Othonoi, që është skaji ujdhesor i Arkipelagut, është ndërprere DSH dhe HAV e Shqipërisë, sepse është aplikuar e Drejta e vetëm një shteti (Greqisë) për të vijuar me standardin e DSH dhe HAV (Contigous Zone) ndërsa Shqipëria i krijon vetes një "mbyllje" dhe "izolim" gjeostrategjik në Ngushtesë. Ky është një cënim i drejtpërdrejtë i Sovranitetit Kombëtar dhe mosmbrojtjen e së Drejtës Detare të dhënë nga KONVENTA (UNCLOS). Nga sa u shqyrtua më sipër, ndarja detare dhe e shtratdetit Kontinental, në këtë takim ngushtesash strategjike ka qenë fatale për Shqipërinë. Arsyetimi ligjor ka qenë i mbështetur në logjikën ishullore, ku Othonoi është konsideruar si pikë e fundme prej së cilit janë llogaritur dy njësitë detare (DSH dhe HAV), pa arsyetuar se drejtimi verior i përftimit të këtyre standardeve, është në kundërshtim të hapur me rrethanat gjeografike të ngushtesës e cila u përket vetëm dy shteteve përballë, Italisë dhe Shqipërisë. Republika e Greqisë përfiton në këtë rast në të tri drejtimet si në atë verior ( në mes të Ngushtesës), në perëndim ku ka hapësirë detare më Italinë, në Jug ku është universi i saj natyror ujor.

LLOGARITJE

Le të nisim reshperimin tonë detar, dhe në troje ujdhesash, nga Ngushtesa Veriore e Korfuzit, ku vetëm në Gjirin e Kërkyrës, janë: 6,45 md, pastaj, kapërcehet, ujdhesa Korfuzit, e në veriperëndim të saj shfaqet në horizont, ujdhesa Othonoi e cila është larg nga bregu ujdhesor i Korfuzit, me përmasa të barabarta, afërsisht, sa një DSH (Territorial Sea): 24 km = 12,9 md. Largësia ujore dhe ujdhesorë prej Dheut Kontinental të Greqisë, e gjer në këtë periferi është 6.4+9.7+12.9 = 29 md. Kjo shtrirje në zotërim të ujërave është në më shumë se dy DSH ( 2 x 12 md = 24 md ). Po këtu të mos harrojmë, se kemi më tej hapësirë ujore, sipas UNCLOS edhe 12 md, si Hapësirë e Afërt Vijimore Detare (Contigous Zonë), janë 74 km = 39.9 md.

PIKA "150", SYNIMI PËR T'U FUTUR NË NGUSHTESËN E OTRANTOS
Pika "150" është një fund poligoni, një fund vije, mbyllje koordinatash që kanë ndarë një ujor dhe SHTRATDETIN KONTINENTAL.
Afrimi i saj deri këtu, ka edhe një status tjetër, atë të një trekëndori, KULMI i te cilit diskutohet midis të tri shteteve fqinjë dhe dy deteve, Jon dhe Adriatik. Në fakt pika "150" është diskutuar dhe vendosur nga dy palë. Ajo, paraqet fundin e një ndarjeje, ku në mesoren e "delimitimit" duhet t'i bëjë ballë, përcaktimit të të dy palëve, kundërshtimit të palës së tretë, po edhe vetes së saj. Kjo pikë nëse vihet në një vijëdrejtë e cila është e përfytyruar si përperndikular me Ngushtesën e Otrantos, e zgjatur nga të dy brigjet, e Italisë në Perëndim dhe Shqipërisë në Lindje është e gjatë 43 md. Pika " 150", është fund i një mesoreje (median line) e cila përshkon lirshëm DSH dhe HAV shqiptare në një gjatësi prej 39 km. Sa largësia tokësore Tiranë-Durrës.

NE NUK JEMI TË BARABARTË NË KËTË MARRËVESHJE EDHE PSE E KEMI FIRMOSUR ATË

UJDHESA OTHONOI është konsideruar si fillim për llogaritjen e DSH të Greqisë, si në drejtim të perëndimit ashtu dhe atë veriperëndimor, duke mos marrë parasysh veçoritë dhe kërkesat që jep UNCLOS. Kjo i ka dhëne një përparësi shumë të madhe Republikës së Greqisë, duke cënuar hapësirat ujore tradicionale të Shqipërisë.



SIPËRFAQJA (km2) E PËRFITUAR NGA GREQIA

Kepi i Stillos, përballë Gjirit të Kërkyrës, në hyrje të Ngushtesës Veriore të Korfuzit: 2. 9 km2
Shkëmbi BARKETA: 1. 5 km2
Gjiri Historik i Sarandës: 15 km2
Ujërat detare Arkipelagore të Korfuzit deri në Ngushtesën e Otrantos (pika "150"): 335 km2

Tedi Blushi, G.Shqiptare
Kush është Myslim Pasha ? Shtyp më poshtë për informacion të detajuar.

No comments: