Tuesday, October 6, 2009

Pakti detar me Greqinë, pret shpatullat tona ujore

Marrëveshja e Detit apo siç u quajt: "Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për Delimitimin e Zonave të tyre përkatëse, të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera Detare që u përkasin në bazë të Së Drejtës Ndërkombëtare.", doli në dritë, në fund të pranverës 2009, në mënyrë të shpejtë, pa patur ndonjë pararendje njoftuese, për fillimin dhe arritjen e saj.

Dukej, se vinte nga një përkim spektakolar idesh, në fqinjërinë tonë, si kurrë herë tjetër, sidomos në fushën e kujtesës gjeohapësinore, midis të dy vendeve mike, Greqisë dhe Shqipërisë, ku në shpatullën e një shekulli të tërë, prej të dy krahëve, ka patur aq shumë mospërkime sa që historia ka qënë ngushtë t'i përshijë, të gjitha, në ngrehinën e saj.
Aq më tepër, që bëhej fjalë, për marrëveshje, të ndarjes së Detit, në një klimë të re fqinjërie të integrimit evropian në Ballkanin JugPerëndimor.
Ardhja e marrëveshjes, pajtimi dypalësh, gjente mjedisin më të mirë të tejdukshmërisë dhe bukurisë metaforike të Detit Jon, dhe prej tij, nga kjo "blu" që i bashkohej qiellit, solli një kumt që të liheshin në humbëtirë, gjithçka tjetër që kish ndodhur më parë. Ishte një prag historik i ëndërruar, por ama, me shumë pak gjasa, se mund të vinte, kaq shpejt.
U thyen parametrat e dikurshëm.
Sapo, u panë në buzëqeshje, afrim, shtrëgimduarësh e ngazëllim të dy udhëheqësit e pranishëm, ia bëhu lajmi, kërcëllitës, i papandehur, si një shprazje, në një dasmë kur ndezullia e jetës, befas, has dramën që i shkon pas e nuk i ndahet.
Pikëtakimi i parë me njoftimin dhe pas tij me "djallin" që e ndiqte, askush nuk mund ta merrte me mend, e as që ta pranonte, se ky hap historik i hedhur, nuk mund ta pranonte dyshimin e madh, për një skandal, fshehtësi e shpejtësi rrokullime. Njoftimi i një televizioni lidhej me "gjashtë milje!!" "ardhje deri në Qeparo!!!" që të trazonte kaq shumë, sa edhe njohësit më të mirë gjeografikë e detarë, kësilloj do të shkundeshin. Njoftimi bënte një lidhje, sërish dramatike, që e çonte krahë më krahë këtë marrëveshje, me atë të Varreve të ushtarëve grekë, duke e bërë edhe më goditëse dhe lajthitëse, pas firmave të gëzuara, përqafimeve dhe duarshtrëngimeve.
Prandaj me të drejtë, njoftimi pas festës së marrëveshjes, ish i papranueshëm, dhe pse jo, në dyshim; duke të futur si përherë në një shtjellë marramendëse, si: "a ka gjasa vallë, atëbotë, që të jetë sajuar nga bashkësi hartues opinionesh ballkanase që nuk e mirëpritën këtë arritje detare..." apo qoftëlarg(!) mos ka këtu ndonjë "gatim të fshehtë!?"
Ndër mosbesuesit ish edhe autori i këtij artikulli i cili nuk mund të bënte dot lidhjen në përfytyrim, të "gjashtë miljeve" dhe "arritjes në Qeparo" që askund s' mund të quhej ndarje e detit, kur fqinji të vjen, ku takohet buzëuji, me Dheun Kontinental.
E pabesueshme!
Sapo më ra në dorë lista e koordinatave, isha në mëhallën time, mëhalla e gjeodetëve e dhematësëve e detmatësëve.
Përfytyrova 150 pika, që vinin njëra pas tjetrës, si kuaj mitikë, që udhëtonin mbi detin Jon, në një dasëm që e thamë, se kish ndodhur në marrëveshjen dypalëshe, dhe flamuri i nuses që fillonte nga "njëshi", prej piramidës tokësore nr 79, në Kepin e Stillos, përballë ujdhesës Tonga, ecte si stafetë, dorëmëdorë i çohej kalorësit të fundit në "150", ku nusja do të zbriste nga ky kal mitik...Kjo ishte një nuse fiktive tragjike...
Pika 150 e cila m'u shfaq përballë gurores Romake të Gramës, shumë afër kepit të Gjuhëzës. Atypëraty më erdh ndër mënd: "Deti që duket s'do kallauz ( në rastim tim gjeodet apo gjeometër), sepse pikasej lirshëm dhe pa matje ardhja kaq larg e pikës"150". Mblodha supet dhe dyshova në vete, duke më ardhur shumë pranë, ujdhesa greke "Othone" dhe pozicionimi gjeografik i saj. E rimata, e rihodha edhe një herë. Habia ime emocionale dhe tronditëse, bëri përshtypje, e ndofta, ish kjo që solli të nesërmen, gjithë ato kryetituj, shkrepëtues, tanimë të njohur, si "Skandali i Shekullit" " Falje Deti" ..." Shitje e Detit..." etj., etj.
Pa u kontrolluar e tërë vija, nga pika e parë deri në fund dhe pa u përqasur në çdo ind të saj me Ligjin për të Drejtën e Detit ( UNCLOS*1)) nuk mund të dilej në përfundim dhe nuk mund të kishe një kumt studimor, shkencor të saktë.
Ngjarja bëhej edhe më e mistershme.
Pasuan, Konferenca Shtypi, "asnjë milimetër nuk i është dhënë shtetit grek" akuza si "antikombëtare" për "Shqiptaren", tendosje nervore të të dërguarve të shtetit, bisedimesve (negocitorëve) që tregonin edhe vetë troshitjen qeveritare, shpjegimin e Kryeministrit që u tha shqiptarëve se "ishte një trillim primitiv" jo vetëm i medias, por edhe i opozitës. Pastaj, më tej, u përdorën argumente që lidheshin me një kompas gjeometrik që do të ngelet proverbial, sepse u përdor nga një përfaqësues i shtetit dhe nga vetë Kryeministri, i cili për të hedhur poshtë këto akuza të përbindshme, rekomandoi ndënë një buzëqeshje të hidhur se: "mund t'i drejtohesh edhe një nxënësi të klasës së pestë, që të marrë atë kompas dhe të mas detin, e të provojë si në një ushtrim gjeometrik, nëse ai ishte ndarë mirë apo keq..."
Ardhja në tavolinë e një harte greke e shtoi tollovinë, e të nesërmen u përshpejtua të sillej po e njëjta hartë, për ama me toponime të shkruar në shqip dhe përsëri, ai kompasi shpëtues. U përdorën terma si "barazlargësi", u mohua një hartë që ishte paraqitur në media, po kështu u kumtua se "pika 150 ndodhet në ujra ndërkombëtare" ( që s'ishte e vërtetë dhe tregonte mosnjoje të plotë) dhe përsëri, " asnjë milimetër..."
Shpjegimet, ngutja, tronditja, mungesa e argumentit, mosparaqitja e përfaqësuesëve të Institutit Gjeografik Ushtarak dhe mungesa e hartës detare shqiptare, tregonin shkoqur, dhe bindshëm se asnjëri prej tyre nuk ishte në brendi të jetësimit teknik, profesional të kësaj marrëveshjeje edhe pse u përsërit, për të satën herë "UNCLOS" . Prandaj dyshimi dhe misteri shtohej.
Kompasi i ngeli në dorë vetëm Komandantit të Forcave Detare me të cilin, kisha ndarë dikur, respekt të ndërsjellët dhe punë të përbashkëta.
Dëgjuesit dhe gazetarët, lëkundeshin si lavjerrësa, sepse nuk kishin njohje teknike gjeodezike dhe hartografike, e po kaq nuk e njihnin në themel "UNCLOS".
Si gjeodet dhe hartograf, nismova vetëm modelim dhe përputhje teknike: UNCLOS- ndarje gjeodezike, por në udhë e sipër, s'më linte dashuria për Detin dhe shënjtërinë e tij mitike, sepse m'u duk se atë, e kishin përdhosur padrejtësisht, kur ai asqë donte t'ia dinte, nga kjo prerje e padrejtë, që ia kishin bërë.
Gjeodeti nuk mund të heshtë.
Mua m'u desh që të bëja ontologjinë teknike të realitetit, për të dhënë një tejdukshmëri gjeodezike, si një gur themeli për vetëdijen shkencore e cila rreh të bëjë një modelim, i cili ma shpëton, jo vetëm shpirtin tim, por bëhet dhe një avokati (po e quajmë) për kolegët dhe shtetarët e mi, që mesa kuptoj, në këtë marrëveshje janë një radhua figurash të ngurosura, pa shprehje, sa u vjen keq edhe miqëve të mi helenë, hartues dhe firmëtarë të kësaj marrëveshjeje. Qënia e një dokumenti si dhe realiteti i tij, por jo kurrë se çfarë fshihej pas, më bënte udhë që të lëvizja mbi detin e mbushur me koordinata dhe dëshpërimin e tij. Deti askurrë s'ka dashur që të ndahej.
"Ta kemi të pandarë", thonë përherë e sot e kësaj dite, në Jug, kur bëhen krushqitë. Nëse unë do të strukesha pas njoftimesh për të mbetur spektator, vihesha në fund, në rresht, pas gjithë asaj aradhe njerëzore që u shkrifërua prej marrëveshjes, sepse besonte, në të. Ndërkohë, nga pala e fqinjëve doli një frazë e ftohtë, sa diplomatike po e aq therëse se "Qeveria greke ka realizuar objektivat e saj strategjikë."
Po ne, ç'objektivë, vallë, kishim realizuar? Humbjen e mbramë detare, si të ishte një prerje e vetvetes, që po i shtohej, Historisë së rremë të një Skënderbeu, që sipas autorit të huaj, na ishte, sllav, i një "sulmi të fqinjëve maqedonas për autoktoninë e shqiptarëve", e " një Historie 12" që në shëmbëllim të shtrëmbër, shtrëmbëron historinë tonë të dy dhjetvjeçarëve të fundit... dhe ja "prerja detare gjeohistorike"
Shpejtësia, ngutja, mosnjohja teknike, mjegullira shkoqitëse në publik, prurja e hartës së huaj, nxitimi për të dhënë përgjigje që s'përputheshin askund me parime matematike dhe Konventën, sharjet, pështymat e njohura shqiptare, për "armiqë" që " kërkojnë të hedhin baltë" mbi miqësitë e arrira në Ballkanin Jugperëdimor, si dhe sulmi i Kryeministrit, që e përdori kompasin për të mbytur të vërtetën, më cytën që të kryeja detyrën time intelektuale.



PERMBLEDHTAS:

1.Marrëveshja e përcaktimit të kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë është një hartim i errët dhe hermetik, akt diplomatik i shpejtë dhe i dyshimtë, i cili dokumenton, përulësi të dinjitetit kombëtar.
2. Vëzhgimi Gjeohartografik, në të gjithë sythet e marrëveshjes nxjerr në pah një shpërfillje të jashtëzakonshme të interesave kombëtare shqiptare .
3. Në këtë Marrëveshje "UNCLOS", Konventa e Kombeve të Bashkuara, mbi Ligjin e Detit ka zbatimin më të cunguar të saj. Interesat e Shqipërisë nuk janë parë si " të barabartë, të paanshme = equitable " me palën fqinjë. Kemi të bëjmë me rrëgjim gjeohapësinor detar dhe cënim të gjeohistorisë iliroshqiptare.
4. Ky akt diplomatik është arritur në një "Vakum ligjor shqiptar, mbi Detin, gjiret dhe Ujrat e Brendshme" që i shërbejnë Ligjit të Detit.
5. Haset cënim i hapur i mëvetësisë së Shqipërisë në Ujrat Detare, Detin Shtetëror (Territorial Sea), Hapësirën e Afërt Vijimore (Contigous Zone) Shtratdetin Kontinental dhe Hapësirën e Veçantë Ekonomike ( Exclusive Economic Zone).
6. Ngushtesa e Otrantos, kjo urë natyrore ujore, e Ballkanit Jugperëndimor, kjo gjeohapësirë detare tradicionale, gjeohistorike midis Shqipërisë dhe Italisë, është një synim i drejtpërdrejtë, i jetësimit të kësaj marrëveshjeje.
7. Gjiri Historik i Sarandës, përbën një "harrim" dhe "humbje" fatale, gjeohistorike, strategjike dhe ekonomike për Shqipërinë.
8. Shqipëria, humb një pjesë të vetvetes së saj, në shtratdetin Kontinental Jonik, një sipërfaqe ujore prej 354 km2, në një nga gjeohapësirat më magjepsëse, të pasura, dhe gjeostrategjike, në Jugperëndimin e Saj.



SHËNIM I REDAKTORIT:
* Prof.Asoc.Dr. Myslim Pasha është mjeshtër kërkimesh dhe Kolonel në rezervë i Forcave të Armatosura. Ai është edhe autor i hartës që Shekulli boton sot në këtë faqe dhe që flet vetë qartë mbi pasojat e paktit detar mes dy vendeve. Në letrën shoqëruese për drejtorin e gazetës Adrian thano, prof.Pasha shkruan:


I dashur Adrian
Ju lutem mos më lini vetëm. Nuk eshte "çmenduri" e imja por e shtetit tim. Është skandal i madh. Unë jam studiues i detit dhe po përballem me shtetin tim. Një përballje "absurde" sepse të dy krahët teorikisht mbrojnë interesat kombëtare. O Zot! Shteti u shpjegon qytetarëve se si ka braktisur një pjesë të gjymtyrëve të tij.. Jemi të pabarabartë!
Më ndihni që gazeta juaj të më mbështesë në argumentët e mi. Lutem botoni hartat. Jane harta te studimit tim, pra kane "copyright" timin. Botimi nuk më bën mirë thjesht "mua" te vetmuarit por ka vlera me shumë se kaq. Ju lutem edhe njëherë mos më lini vetëm! Të luftojmë për aq sa mundemi, që të shtyhet ky ratifikim i turpshëm.


Përqafime
Myslim Pasha


*********



Pakti detar me Greqinë, Meta: Ta zgjidhë Kuvendi

TIRANË - Për Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, përgjegjësinë kryesore për ratifikimin e marrëveshjes së ujërave territorialë me shtetin fqinj, Greqinë, e ka Kuvendi.
Edhe pse partia që ai drejton, e ka kundërshtuar me forcë miratimin e kësaj marrëveshjeje, para së të bëhej pjesë e qeverisjes, dje në një pozicion krejtësisht të ri politik, zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi se ratifikimi i marrëveshjes së ujërave territorialë me shtetin fqinj, është një çështje, që duhet ta zgjidhë Kuvendi.
Marrëveshja, pritet të kalojë në Kuvend në 19 tetor. Tashmë, ajo ka kaluar një nga pengesat kryesore, atë të diskutimit në Komisionin e Ligjeve, i cili e miratoi atë disa ditë më parë me unanimitetin e të gjithë deputetëve dhe pas asnjë kundërshtim. Pro saj në Komisionin e Ligjeve, votoi edhe deputeti i LSI-së Nasip Naço, pavarsisht se forca që ai përfaqëson, vetëm pak muaj më parë, gjatë legjislaturës së shkuar, e kundërshtoi fort një marrëveshje të tillë, duke e konsideruar atë në disfavor të Shqipërisë, por edhe duke akuzuar qeverinë e kryesuar nga Sali Berisha se po i falte ujërat tona territoriale Greqisë.


Pas Komisionit të Ligjeve, marrëveshja pritet të kalojë edhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku natyrisht, nuk parashikohen surpriza, pasi edhe në të do të jenë të pranishëm vetëm deputetët e mazhorancës. Ndërkohë, që në datën 19 tetor, kjo marrëveshje është programuar që të miratohet në seancë plenare. Gjatë diskutimit të saj në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme, Ledia Hysi, hodhi poshtë çdo zë që pretendon se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje Shqipëria del e humbur, duke theksuar se vija kufitare ujore përcaktohet në bazë të parimit të barazlargimit nga bregu detar.


"Me Greqinë në kanalin e Korfuzit distanca është shumë e vogël, rreth tetë milje, që i bie në zbatim të parimeve të Konventës do të jetë 4 milje nëse e ndajmë përgjysmë. Kjo gjithmonë ka qenë në praktikë dhe e zbatuar", - tha drejtoresha Juridike në Ministrinë e Jashtme Ledia Hysi.



Ushtarakët kundra: Po i falim 354 km det Greqisë

"Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë" letër Topit e Topallit: Studiojeni mirë marrëveshjen




Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit të ri detar mes dy vendeve, ka hasur jo vetëm kundërshtimin e opozitës, por edhe të vetë grupeve të interesit siç janë në këtë rast ushtarakët. Është shoqata "Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë", ajo që ka reaguar dje ndaj një marrëveshjeje të tillë, të cilën e ka konsideruar si një akt që i fal në mënyrë të pashpjegueshme vendit fqinjë, Greqisë, një sipërfaqe të konsiderueshme ujore në detin jonian, duke i bërë thirrje njëkohësisht krerëve të shtetit shqiptar, që të heqin dorë duke mos e miratuar atë.


Letra
Në një letër drejtuar krerëve më të lartë shtetërorë dhe bërë publike dje për mediat, "Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë", në përbërje të së cilës janë disa shoqata si ajo e "Flotës Luftarako Detare", e "Aviacionit", e "Zbulimit", e "Xhenios", e "Ndërlidhjes", e "Prapavijës", e "Topografëve", e "Skënderbegasve" dhe e "Historianëve Ushtarakë", shpreh shqetësimin e saj lidhur me përmbajtjen e kësaj marrëveshje, e cila u hartua në fshehtësi të plotë dhe u nënshkrua disa muaj më parë nga ministrat e Jashtë të dy vendeve, Dora Bakojanis për Greqinë dhe Lulëzim Basha për Shqipërinë. Sipas tyre nga studimet e bëra, del qartë se Shqipëria humbet një sipërfaqe të madhe detare, përfshirë edhe hapësirën ajrore me vlera ekonomike, politike, gjeostrategjike dhe kulturore, duke i krijuar vetvetes një izolim dhe bllokim, nëpërmjet ngushtimit të hapësirës dhe të rrugëve të komunikimit.


"Është ndërprerë Deti Shtetëror dhe Hapësira e Afërt Vijimore e Shqipërisë. I është privuar Shqipërisë statusi i të drejtës si shtet përballë Italisë. Ujërat e brendshme të Gjirit të Sarandës janë konsideruar si "Free bay" (gji i lirë), për t'u ndarë me Greqinë, i cili është gji Historik i Shqipërisë", - shprehen ushtarakët në letrën e tyre, duke pretenduar se sipërfaqja detare që është humbur nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje është rreth 354.4 kilometra katrorë.
Për këtë arsye, ata në letrën e tyre, i kërkojnë kreut të shtetit Bamir Topi si garant i zbatimit të Kushtetutës dhe ruajtjes së sovranitetit të vendit, që para se të hedhë firmën mbi dekretin që do t'i jepte fuqi vepruese kësaj marrëveshjeje, të njihej mirë me përmbajtjen e saj.


E njëjta kërkesë i është drejtuar edhe kryeparlamentares Jozefina Topalli, si dhe deputetëve. Sipas tyre, shqyrtimi i kësaj marrëveshjeje në mënyrë teknike, do të bëjë të mundur që të kuptohet qartë cenimi i rëndë që po i bëhet integritetit territorial të Shqipërisë. Në argumentimin që bëjnë në letrën e tyre, ushtarakët theksojnë, se duke e dhuruar sipërfaqen ujore, Shqipëria humb gjithashtu edhe atë tokësore, ku janë bërë studime shpresëdhënëse për rezerva të naftës dhe të gazit.

Marrëveshja
Në relacionin që shoqëron marrëveshjen në fjalë, bëhet e ditur se ajo është hartuar pas një pune të përbashkët të një komisioni miks mes dy vendeve. Kështu, në marrëveshje parashikohet që kufiri detar mes dy vendeve përcaktohet në bazë të parimit të vijës meridiane, e cila përban në vetevete 150 koordinata, duke u bazuar në tre gjire të mbyllura greke dhe pesë gjire të mbyllura shqiptare. Në bazë të marrëveshjes, vija e delimitimit do të jetë vija e mesme, koordinatat e së cilës janë të barazlarguara nga pikat më të afërta të vijës bazë, nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale.


Në marrëveshje përcaktohet, se ushtrimi i të drejtave që lindin nga zbatimi i saj nuk do të prekin statusin e pasurive nëntokësore të ujërave dhe të hapësirave mbi të. Gjithashtu, ushtrimi i këtyre të drejtave nuk do të rezultojë si një ndërhyrje e pajustifikuar me të drejtën e lundrimit dhe të drejtat dhe liritë e tjera. Por, sipas opozitës dhe disa ekspertëve të fushës detare dhe asaj të kufijve, kjo marrëveshje favorizon ndjeshëm Greqinë, duke i dhënë asaj një pjesë të ujërave territorialë. Shekulli

I lutem të gjithë qytetarëve që e duan vendin e tyre, mos rrini indiferent përballë një fakti që nesër historia shqiptare do ta njohë për një skandal të jashtëzakonshëm, minimalisht nënshkruani peticionin për ta ndalur ratifikimin e këtij projektligji, askush nuk vendos për fatet tona nëse ne e kundërshtojmë, Shqipëria nuk është pronë private e askujt : http://www.gopetition.com/online/31143.html

1 comment:

olti said...

UN E DUA VENDIN TIM.POR VENDI IM KA REN NE DOR TE SALI BERISHES.DHE AI PO I VJEN SHTAT KETI POPULLI.PO E SHET SHQIPERIN NGA TE GJITHA ANET.SHITI TOKA E BERI FABRIKA,TANI DO TE NA SHES EDHE DETIN.POR UN THEM JO.NE NUK DUHET TA LEJOJM NJE GJE TE TILL TE NDODHI.JU BEJ THIRJE QE TE VAZHDONI TA FIRMOSNI PETICIONIN DHE NQA ESHT NEVOJA TE DALIM DHE TE PROTESTOJM.RETH FLAMURIT TE PERBASHKUAR ME NJE DESHIR E NJE QELLIM TE GJITH ATJE DUKE U BETUAR TE LIDHIM BESEN PER SHPETIM.PREJ LUFTE VEC AI LARGOHET QE ESHTE LINDUR TRADHETOR.KUSH ESHTE BURRE NUK FRIKSOHET POR VDES POR VDES SI NJE DESHMOR.UN KUR DIGJOJ KETTO VARGJE TE KENDOHEN APO DHE TE LEXOHEN ME DRIDHET MISHI.NUK E DI NE KA AKOMA SHQIPTAR QE E MENDOJN SI UN KETE GJE.POR SHPRESOJ QE TE KET