Friday, October 2, 2009

Të duhet kohë Shqipëri !

Njerëzit e tu për ty janë ferr Shqipëri. Të shoh tek ecën në kohë, e qesh se si njerëzit e tu shkatërrojnë gjurmët, mbyllin rrugën. E ku ta dish, mbase historia ecën përkundër rrjedhës tënde. Rrugët të janë kryqëzuar si mos më keq. E sërish fajtor janë ata që bëjnë atdhe. Për ty flasin, kuvendojnë, e bash ata që këndojnë për ty, të shesin pak e nga pak. Sot kështu po bëjnë, edhe nesër duket e shënuar e njëjta tregti.

Kush janë ata që shesin atdhe çdo ditë! Janë ata që drejtojnë popullin tënd. E ti nuk bë zë, sepse “frymën” ta kanë pranguar. Ta kanë çjerrë fytyrën. Mediat e tua Shqipëri, nxjerrin vrer, derdhin mllef sa herë çasti kalon në një tjetër. Më fal që të thashë janë të tuat, janë të huaja, që kanë ardhur për të manipuluar popullin, për të shkatërruar identitetin tënd. Kanë ardhur për të bërtitur e për të zhvatur sa më shumë në trupin tënd të lodhur nga fjetarët e tu.

Kush janë ata që flasin për atdhe? Ç’ironi! Janë ata që kanë shitur shpirtin, kanë shitur zemrën, e rrojnë të nënshtruar në tokën e tyre. Janë ata që nuk kanë asgjë tjetër, përveç famës, pushtetit, parasë, këto ndjesi të fëlliqura të modernitetit, që u thurin himne ditë e natë. Po flasin për ty Shqipëri! E kupton? Duhet të jesh zgjuar, sepse të kanë rrëmuar kaq shumë në trupin tënd, saqë plagët janë bërë varre të hapura.

Me ç’zë të flas? Të ta thoja se si të vjedhin ty çdo ditë. Të ta thoja se këta duken si kalimtar në rrugët mbi trupin hapur vrazhdë, edhe pse mbi një mijë vjet këtu. Si t’i quaj? Shqiptar? Jo! Më mirë të mjerët e tu. Mbase të ka lodhur kjo histori? E mend nuk ndryshojmë. Jemi mësuar të të vrasim, e më pas të të thurim këngë pas krimit. Nuk të varrosin! Jo! Jo! S’do kishte më vend për kusarët, për këtë hordhi të pashuara që të sulmojnë si armik në fushë betejash.

S’e di se si qëndrove?! Të deshi Zoti, se njerëzit kurrë. Ndaj je këtu, bashkë me zogjtë e tu të shpërndarë pa adresë. Askush nuk të ka mirënjohje, e madje ndihen të poshtëruar edhe pse këtu lëmojnë barkun e mbushur plot. Edhe pse këtu, pasurohen për të siguruar brezat e mëvonshëm, mëkatarët e së nesërmes që po gatuhen sot. Ashtu sikurse të djeshmit, komunistët e egër, ata banditë që vrasin edhe sot e kësaj dite, veçse në forma të tjera.

Të duhet ende kohë Shqipëri për t’u çliruar nga prangat e rënda të së shkuarës dhe të së tashmes tënde. Për t’u çliruar nga njerëzit e tu, që të janë sulmuar si rriqra. E mëshirë nuk ndjenjë. Ku janë ata që do e ndërtojnë këtë vend? Ku janë ata që do t’i përzënë këta kriminelë? Këta tenderistë që vjedhin miliona.

Të duhet kohë Shqipëri! Shumë kohë, mbase pafundësisht. Tani nuk janë, sepse janë ata që s’kanë moral, dyfytyrëshit që pushtojnë ekranet e televizioneve. Të mjerët që bëjnë mend katundin tonë. I ke harruar bijtë e tu të vërtetë. Të kanë harruar, e sot bën sikur s’i njeh. E në qofshin, janë të poshtëruar. Të tjerë flasin për ty, vendosin. Ata që të kanë shitur, për të patur pushtet, për t’u pasuruar. Analistë, gazetarë, politikanë, lloj-lloj të shpëlarësh mendërisht hedhin firma që të të zhvleftësojnë, të të shesin edhe atë pak “dhuratë” të çmuar që të ka mbetur. Këta që janë tani nuk bëjnë Shqipëri, as Kosovë, e as Maqedoni.

Saimir Lleshi, Start

Jeni të lutur të nënshkruani peticionin e mëposhtëm, për të mbrojtur sovranitetin e Shqipërisë, duke MOS pranuar firmosjen e një dokumenti, që cënon ujërat detare kombëtare në detin Jon, me rreth 354.4 km2, të cilat do ti “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë.
http://www.gopetition.com/online/31143.html

No comments: